ece997cb-fd74-410e-abb8-17ac508b2278_1.jpg

Ditën e Mërkurë, dt. 15.09.2021, Fakulteti i Ekonomisë UT organizoi ceremoninë në përkujtim të ndarjes nga jeta para disa muajsh nga Covid 19, të Profesoreshave të Fakultetit të Ekonomisë, Vjollca Karapici dhe Irena Bogdani, si dhe studentes Euxhena  Jorgji.

Në aktivitetin e zhvilluar në praninë e mediave morën pjesë përveç stafit të FEUT,  Rektori i Universitetit të Tiranës, Dekanët dhe familjarë të të ndjerave.

Dekani i FE, Prof. Dr. Dhori Kule gjatë fjalës së tij shprehu ngushëllimet për humbjen e dy Profesoreshave dhe studentes, anëtarëve të familjes së madhe të FEUT, të cilat Covid 19 i mori pabesisht.

Përgjegjësja e Departamentit Ingrid Shuli, teksa mbajti fjalën para të pranishmëve, mes emocioneve, foli për përkushtimin prej një jetë të dy kolegeve të saj, ndaj fakultetit dhe studentëve. Në nderim të tyre Prof. Shuli kërkoi një minutë heshtje.

Ndërsa asistentët e Prof. Dr. Vjollca Karapici dhe Prof. Assoc. Dr. Irena Bogdanit,  Julian Naqellari dhe Lindita Gjika folën për raportin me kolegët dhe se sa e donin punën dhe jetën.

Babai i studentes Euxhena Jorgjit, Z. Anest tha se e bija lexonte shumë dhe se deri ditën e fundit të jetës së saj mbajti poshtë jastëkut librin.

Ndërsa Rektori Artan Hoxha, marrë shkas dhe nga humbjet në jetë, u shpreh se studentët dhe pedagogët në universitete publike dhe jo publike duhet t’i nënshtrohen vaksinimit me vullnetin e tyre, pasi vaksinimi i shpëton ata dhe të tjerët.

Në fund të ceremonisë, familjarë e kolegë mbollën në oborrin e Fakultetit të Ekonomisë tre fidanë ullinj për t’i kujtuar e për t’i patur mes tyre dy profesoreshat dhe studenten e ndjerë.

Përmbledhje e aktivitetit

Video e plotë e aktivitetit

 

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.