Dep Ekonomiks

Departamenti i Ekonomiksit, si një nga strukturat organizative të Fakultetit të Ekonomisë, është departamenti më i madh në Fakultet, si nga këndvështrimi i numrit të pedagogëve (gjithsej 34 pedagogë), ashtu dhe nga volumi i punës që mbart dhe nga shtrirja e mësimdhënies në disa Fakultete të Universitetit të Tiranës.

Departamenti është përgjegjës për mbarëvajtjen e proçesit mësimor në degën e Ekonomiksit. Ai përbëhet nga tre grupe mësimore – shkencore: Mikroekonomi, Makroekonomi dhe Hyrje në Ekonomi. Ai mbulon mesimdhënien e mbi 30 lëndëve, si në Fakultetin e Ekonomisë ashtu dhe në Fakultetet e tjera. Programet e lëndëve që ofron Departamenti janë përmirësuar vazhdimisht në përputhje me zhvillimet teorike në literaturën ekonomike botërore dhe zhvillimet në ekonominë botërore dhe atë të vendit.

Mësimdhënia rezulton si nga pikat e forta të performancës së Departamentit të Ekonomiksit, karakterizuar nga nivel i lartë përkushtimi, serioziteti dhe cilësi e mësimdhënies. Puna në skuadër është pjesë e rëndësishme e performancës.

Departamenti i Ekonomiksit ofron diploma në Ekonomiks në të tre ciklet e studimit: Bachelor, Master dhe Doktoraturë.
Programi i Ciklit të parë: Bachelor në Ekonomiks
Programet e Ciklit të dytë: Programet Master që mbulon Departamenti janë:

  • Master Shkencor në Ekonomiks
  • Master në Studimet Ekonomike Europiane (Master profesional, me kohë të plotë)

Programi i Ciklit të tretë : Doktoraturë në Ekonomiks.
Në përgatitjen dhe zhvillimin e programeve të studimit Bachelor, Master dhe të Doktoraturës, Departamenti ka bashkëpunuar me Universitetin e Bambergut (Gjermani), Universitetin Teknik të Budapestit (Hungari), Universiteti i Staffordshire, Stoke-on-Trent (Angli), Universitetin e Nebraskes (SHBA), Universiteti Barit (Itali), etj.

Departamenti i Ekonomiksit, aktualisht ka 37 pedagogë efektivë nga të cilët 5 mbajnë titullin ”Profesor”, 11 titullin ”Profesor i Associuar”, 14 kanë graden ”Doktorë shkencash”, 7 pedagogë janë me diplomë ”Master” të angazhuar intensivisht në kualifikimin pasuniversitar dhe që përballojnë me sukses një ngarkesë të konsiderueshme pedagogjike.

Stafi pedagogjik i Departamentit të Ekonomiksit ka pasur në vazhdimësi lidhje pedagogjike e shkencore me mjaft departamente analoge të universiteteve të huaja perëndimore në Gjermani, Angli, Itali, Francë e SHBA, etj. Në këtë kontekst, një kontribut të veçantë si në fushën e mësimdhënies dhe të përgatitjes së programeve kanë dhënë në Departamentin e Ekonomiksit pedagogë të huaj si: Prof. Dr. H. D. Wenzel (Bamberg, Gjermani), Prof. Dr. Robert Korbach (SHBA), Prof. Dr. Iraj Hashi (Angli), Prof. Dr. Dietmar Meyer (Hungari), Prof. Asoc. Dr. Holger Kachelein (Bamberg, Gjermani), Dr. Shonbor Ligeti (Hungari).

Departamenti jep gjithashtu kontributin e tij shkencor e profesional në fusha e sektorë të ndryshëm të ekonomisë e biznesit në vend. Anëtarët e departamentit kanë dhënë dhe japin kontributin e tyre në hartimin dhe zbatimin e politikave si ato fiskale, monetare, tregtare etj në pozicionin e këshilltarëve të qeverisë dhe anëtarëve të bordeve dhe këshillave të ndryshme. Kërkimi shkencor i përkthyer në debat shkencor brënda departamentit për tema të ndryshme mbi ekonominë, sikurse dhe procesi i kualifikimit të stafit të ri akademik janë objektivat afatgjatë dhe synimet e Departamentit të Ekonomiksit me qëllim për të ruajtur cilësinë e njësisë.

Kërkimi në departament
Politikat monetare dhe sistemi bankar, financa ndërkombëtare (kurset e këmbimit, bilanci i pagesave, sistemet monetare), politikat fiskale, tregtia ndërkombëtare, politikat agrare, politikat e zhvillimit ekonomiko – social (varfëria, migrimi, pabarazia sociale, pabarazia gjinore, arsimimi, urbanizimi, tregjet financiare, integrimi europian, ekonomiksi institucional, rritja ekonomike, inflacioni, tregjet rajonale, konkurrenca e tregjeve, llogaritë kombëtare, tregu i punës, financat publike, teoria e lojës, decentralizimi fiskal, investimet e huaja, teoria e gravitetit dhe modelet statistikore.

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.